Pozita e shqiptarëve gjatë luftërave osmane-ruse të viteve 1877-1878 ishte shumë e rënd, e cila i dërgonte ata në një pozicion mjaft të vështirë mbijetese. Popujt sllavë të Ballkanit, të mbështetura nga Perandoria Ruse, sulmuan territoret osmane në Ballkan duke i detyruar që të tërhiqen nga zonat që përfshiu lufta. Këtu më të dëmtuarit ishin popullata vendase apo shqiptarët, të cilët ishin etiketuar si turq dhe si të këtillë u plaçkiten, u terrorizuan, u vranë dhe i detyruan të shpërngulen nga trojet e tyre.
Në këtë punim pasqyrohet vendosja e popullatës muhaxhirë në Gallapin e Prishtinës dhe lëvizjet e tyre nëpër këtë territor duke kërkuar një hapësirë të përshtatshme dhe kushte më të mira për të jetuar. Vendosja e tyre për të jetuar në këtë zonë ndodhë atëherë kur e kuptojnë se më nuk mund të ktheheshin në tokën e tyre të më hershme. Muhaxhirët e vendosur në Gallap mund edhe të mos jenë të gjithë të luftës së ndodhur gjatë viteve 1877-1878, por që në mesin e tyre ka familje të cilat janë ballafaquar edhe më herët me shpërnguljet e para të ndodhura qysh nga Pashallëku i Beogradit e që ishin vendosur në Sanxhakun e Nishit, e së fundi bashkë me popullatën nga Vranja, Nishi, Leskofci, etj. detyrohen të lëvizin në drejtim të Kosovës, ku stacioni i parë i vendosjes së tyre sigurisht se ishte edhe Gallapi i Prishtinës ku përpiqen të strehohen fillimisht dhe pastaj të kërkojnë kushte më të mira për jetesë. Kjo sigurisht se nuk ka qenë e lehtë, sepse ata janë vendosur në tokat e pronarëve të më hershëm, e me këtë u bë zvogëlimi i kullosave, etj. Shumë nga muhaxhirët, të cilët qëndronin ekonomikisht më mirë, nuk u ndalën në Gallap por vazhduan për në Shkup e shumë të tjerë drejt Turqisë.